Më 20 janar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, liria u ngrit në piedestalin më të madhërishëm se kurrë më parë
Fitorja e Barack Obamës realizoi ëndrrën e Martin Luther King
Fitorja e Barak Obamës si Presidenti i 44-t i SHBA realizoi ëndrrën e Martin Luther King për barazinë e njerëzve në të gjithë botën", vlerësoi dje kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se më 20 janar u inaugurua barazia e njerëzve, shpresa, ëndrra e Martin Luther King, ëndrra e madhe amerikane, u inaugurua ndryshimi i madh i vendit të lirisë, por edhe ndryshimi i botës dhe moralit të saj. Ai vlerësoi se, më 20 janar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, liria u ngrit në piedestalin më të madhërishëm se kurrë më parë. Kreu i ekzekutivit vlerësoi se, më 20 janar të vitit 2009, kombi i madh amerikan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm i planetit, vendi lider i komunitetit të lirisë dhe miqtë e tij në mbarë botën, festuan në një ceremoni nga më të bukurat dhe më madhështoret të kohërave, një nga ngjarjet më të mëdha të historisë botërore; inaugurimin e Barack Husein Obamas, Presidentin e 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidenti i parë me origjinë afro-amerikane. "Më 20 janar, sytë e mbarë botës ishin të drejtuara më ngultaz se kurrë në Capitol Hill. Kjo, sepse së bashku me Presidentin Obama, pas shekujsh dhe mbase mijëvjeçarësh, përpjekjesh mbinjerëzore të njeriut për barazi dhe liri, më 20 janar u inaugurua triumfi i premtimit të Zotit, parimit themelor hyjnor dhe njerëzor, barazi në liri, të gjithë të barabartë, të gjithë të lirë", vlerësoi numri një i ekzekutivit. Gjithashtu, ai vuri në dukje se më 20 janar të vitit 2009, Amerika në emër të vlerave mbi të cilat është ndërtuar, hodhi një hap të madh, të shumëpritur dhe historik. Kryeministri nënvizoi se, sërish kombi i madh amerikan dëshmoi në mënyrën më të fuqishme dhe fisnike se popujt e lirë me besimin në vlerat dhe të vërtetat e mëdha të njerëzimit me përkushtim, vendosmëri dhe besimin tek Zoti, arrijnë të jetojnë dhe të jetësojnë aspiratat e tyre, arrijnë t`i kthejnë ëndrrat në realitet. Përveç këtyre, vijoi kryeministri, më 20 janar kombi i madh amerikan inauguroi si President personalitetin, që mëshironte më shumë se 43 paraardhësit e tij, diversitetin etnik, fetar, kulturor, racor, dhe jo vetëm të tij, por të mbarë njerëzimit. "Kurrë ndonjëherë më parë, qytetarët e këtij planeti nuk kanë parë të inaugurohet në Capitol Hill copëza më shumë të tyre se sa më 20 janar të vitit 2009. Dhe e gjitha kjo ndodhi në një kohë kur, makineria propagandistike e majtë botërore vitet e fundit kishte ndërrmarë dhe ndërrmori fushatën më të shfrenuar antiamerikane, që nga koha e rënies së "Perdes së Hekurt", vijoi kreu i qeverisë. Ndër të tjera, kryeministri Berisha në vlerësimet e tij tha se, Presidenti Barack Obama mëshiron më shumë se 43 paraardhësit e tij ndryshimin e madh, ndryshimin në stil, ndryshimin në përmbajtje, ndryshimin në formë, ndryshimin në thelb. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë vuri në dukje se, më 20 janar në Capitol Hill, realisht u inaugurua fillimi i ri i madh për Shtetet e Bashkuara, fillim i ri në të cilin Presidenti Obama u zotua se do të ribënte Amerikën, duke u bazuar në ideale, vlera, parime e virtyte, mbi të cilat ajo është ndërtuar si vend lider i lirisë në botë, si dhe virtytet më të mira të qytetarëve të kombit të tij.
Kryeministri, mirënjohje të thellë ndaj ish-Presidentit Bush
Kryeministri Berisha ka shprehur edhe njëherë mirënjohjen e tij të thellë ndaj kontributit të madh që ish-Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, dha në mënyrë të pandërprerë për integrimin e Shqipërisë. Duke e cilësuar ish-Presidentin Bush si një mik të madh të kombit shqiptar, Berisha vlerësoi se me aktet e tij historike në marrëdhëniet midis dy vendeve do të mbetet përjetë në memorien e kombit shqiptar. Gjithashtu, kryeministri siguroi Presidentin Barack Obama se, qeveria shqiptare mbetet thellësisht e vendosur për një bashkëpunim të ngushtë dhe intensiv në ndërtimin e vlerave të demokracisë, në radhë të parë në Shqipëri, por edhe në kontributin e saj modest në të gjitha fushat, ku të jetë nevoja sikurse është bërë deri më sot. "Do të thosha se, Presidenti Obama në fjalimin e tij inagurial bëri një sintezë të shkëlqyer të Doktrinës së tij. Çdo President amerikan ka qenë dhe është i detyruar të jetë global, por asnjë President amerikan nuk besoj të ketë qenë më global në Doktrinën e tij, sesa Presidenti Barak Obama. Në Doktrinën e Tij të ribërjes së Amerikës, Presidenti u zotua se në çdo rrethanë parimet dhe vlerat do të prevalojnë si më të parat", vijoi kryeministri. Në këtë kontekst, tha ai, vetëm në politikën e jashtme ai shpalli se ato do të jenë mburoja kryesore e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, kreu i qeverisë nënvizoi se me një afrim të ri në politikën e tij globale, Presidenti siguroi partnerët në luajalitetin e plotë të vlerave dhe miqësinë e bashkëpunimin. Duke theksuar se, Presidenti Obama siguroi botën myslimane se respekti dhe bashkëpunimi reciprok do të jenë mekanizmat për të ecur përpara, kryeministri vuri në dukje se kreu i Shtëpisë së Bardhë u ofroi të gjitha vendeve, edhe atyre, të cilat nuk pranojnë disidenca, se administrata dhe vendi i tij janë gati t'u shtrijnë dorën në rast se ato duan të çlirojnë grushtin. Me një fjalë, tha kryeministri, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i vendosur t'u ofrojë softin e mahnitshëm të kombit të tij, si një nga mjetet dhe rrugët më kryesore për të promovuar paqen dhe stabilitetin në botë.
Blerina TOSLLUKU
Kryeministri garanton të gjithë partnerët ndërkombëtarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Qeveria shqiptare, e angazhuar për reforma të thella dhe të gjithanshme
Qeveria shqiptare është e angazhuar për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Kryeministri Berisha ka garantuar përfaqësuesit e komunitetit të vendeve të lira, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që do të marrë të gjitha masat që të respektohet vota e çdo qytetari shqiptar. "Mbetem i angazhuar, para së gjithash dhe mbi të gjitha, për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Dhe, unë dua të garantoj këtu përfaqësuesit e komunitetit të vendeve të lira, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, se kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë në dinjitet të plotë si qytetarë të këtij komuniteti, në respekt të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, me një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe tentakulave të tij kudo që ato të shtrihen", është shprehur kreu i qeverisë. Gjithashtu, ai ka nënvizuar se, Shqipëria është një vend që mbetet tërësisht i angazhuar, në një kurs reformash të thella dhe të gjithanshme, në një kurs në të cilën "alpha" dhe "omega" e tij janë reformat. "Ndaj dhe në këtë rast mbetem tërësisht i angazhuar se me reformat të promovojmë më tej luftën e madhe kundër korrupsionit. Jemi shumë të inkurajuar nga rezultati i tyre. Shqipëria, nga një vend që tre vjet më parë renditej ndër 24 vendet më të korruptuara të planetit, sot ka lënë mbrapa 95 vende. Mbetem i zotuar për të kapur nivele të tjera, shumë më të lakmueshme në këtë luftë", vlerësoi kryeministri. Presidenti bëri betimin, vijoi kryeministri, siç u shpreh dhe vetë ai, në mes të krizës dhe në kohë stuhish të furishme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi lider në ekonominë botërore, i prodhimit dhe kërkesës së saj, ndodhen në një krizë dhe po kështu, pothuajse, mbarë ekonomia e botës. "Presidenti qartësoi se kjo krizë kishte në bazë babëzinë dhe papërgjegjshmërinë e disave, por edhe cedimin kolektiv për të bërë zgjedhjet më të vështira për të përgatitur kombin për një erë të re. Kriza është një krizë prej shumë triliardësh, është një krizë shumë e thellë, por po kaq e thellë është edhe kriza e besimit. Sot mediat, për fat të keq jo vetëm mediat, por edhe ekonomistë, shprehen për asete toksike, në një kohë kur s'ka asgjë toksike në këto asete. Por, është gjuha e panikut ajo që prodhon një terminologji të tillë", vijoi më tej kreu i qeverisë.
Obama do ta kapërcejë me sukses krizën financiare
Obama është shpresa e çdo qytetari amerikan, por edhe çdo qytetari në botë, që do të bëjë të mundur kapërcimin e krizës financiare që ka kapur vendet më të zhvilluara në botë. Kryeministri Berisha theksoi dje, se me rregullat që ka nisur të përcaktojë Presidenti Obama, kjo krizë do të kapërcehet. "Shtëpitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër më të bukurat dhe presin momentin e kthesës për të fituar vlerën e tyre. Mirëpo, në këtë kohë, në Shtëpinë e Bardhë hyn një personalitet, i cili si levë Arkimedi në garën e tij të mahnitshme zgjodhi shpresën. Ishte shpresa ajo me të cilën Presidenti Obama pushtoi mendjen dhe zemrën e qytetarëve amerikanë, por realisht edhe më gjerë se kushdo tjetër, të qytetarëve të botës. Leva e Arkimedit me të cilën Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara do të shndërrojë panikun në besim, në një virtyt të madh. Unë kam bindjen, se me rregullat që ka nisur të përcaktojë kjo krizë do të kapërcehet", tha kryeministri. Gjithashtu, ai shprehu urimin që Presidenti Obama të shkruajë rregullat e reja dhe të mbetet në histori si Martin Luther, që shpëtoi njerëzimin për disa shekuj nga babëzia. "Dua të mbyll këtë fjalë me urimin më të përzemërt, për Presidentin Obama që; ata të cilët lexojnë Presidentin të kuptojnë se jo demagogjia, por realizmi amerikan është thelbi i vërtetë i doktrinës Obama. Dua të siguroj ambasadorin Uidhers se edhe unë, si çdo shqiptar, por do të thosha si çdo qytetar i botës, më 20 janar jam ndjerë pjesë proporcionale e asaj ceremonie të papërsëritshme deri më sot në historinë e njerëzimit", tha kryeministri në fund të fjalës së tij.
Basha: Shqipëria, aleate e palëkundur e SHBA
Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, vlerësoi dje se Shqipëria është bërë një nga aleatet e palëkundura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I pranishëm në panelin me temë "Politika e Jashtme e SHBA-ve: Administratë e re, Doktrinë e re -Perspektiva rajonale", shefi i diplomacisë shqiptare ka vënë në dukje se, marrëdhëniet midis dy vendeve janë më të mira se kurrë. Duke theksuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë, Basha ka veçuar faktin se, SHBA-të janë aleati i pazëvendësueshëm i demokracisë dhe shtetit shqiptar. "Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës. Bashkëpunimi i Shqipërisë me SHBA-të është zhvilluar në një klimë të mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok edhe në aspekte mjaft jetike të zhvillimeve të rajonit të Ballkanit. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen amerikane për çështjen shqiptare në përgjithësi, dhe asaj kosovare në veçanti", është shprehur ministri Basha. Gjithashtu, ai ka vlerësuar se Shqipëria do të bëhet së shpejti anëtare e Aleancës së Veriut dhe tashmë partneriteti midis dy vendeve do të forcohet edhe me pjesëmarrjen tonë në këtë Aleancë. Në këtë kuadër, ai ka nënvizuar se ratifikimi dhe nënshkrimi i shpejtë i Protokollit të Zgjerimit të NATO-s nga Senati dhe Presidenti amerikan, sjellin shembullin më të freskët të këtij bashkëpunimi të rëndësishëm dhe partneriteti të frytshëm midis dy vendeve. "Më lejoni, duke përfunduar, t'i uroj suksese kësaj konference, duke ritheksuar dëshirën tonë që të vazhdojmë, ashtu si më parë dhe të forcojmë më tej bashkëpunim dinamik e të gjithanshëm me Shtetet e Bashkuara, në përballjen me sfidat e përbashkëta globale, për forcimin e stabilitetit, paqes dhe zhvillimit rajonal, si dhe në drejtim të përparimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt objektivave të saj Euro-Atlantike", u shpreh shefi i diplomacisë shqiptare.
Withers: Obama do të jetë mik i madh i Shqipërisë
"Dua t'i siguroj të gjithë shqiptarët se, Presidenti Obama do të jetë një mik i madh i Shqipërisë, në vijim të asaj tradite të gjatë që shkon thellë, deri në vitet e Presidentit Willson. Dhe nuk keni pse të keni asnjë lloj dyshimi lidhur me këtë". Me anë të kësaj deklarate, ambasadori i SHBA në Shqipëri, John. L. Ëithers ka shprehur optimizmin se politikat e SHBA ndaj rajonit dhe politika e saj ndaj Shqipërisë do të jetë e mbështetur mbi shpresa dhe pritshmëri. "Shpresat tona për këtë rajon janë optimiste dhe parimet e politikës sonë mbeten të paprekura. Nën drejtimin e Presidentit Obama ne parashikojmë një Shqipëri në qendër të një rajoni si Ballkani, që është në stabilitet dhe në paqe", u shpreh Withers. Gjithashtu, ai ka vlerësuar se Shqipëria vazhdon të veprojë, të ndihmojë dhe të bashkëpunojë me shtetin e ri në Ballkan, Kosovën, siç ka bërë gjatë këtyre viteve. Withers shprehur emocionet e tij për hyrjen e Shqipërisë në Aleancën më të madhe, në të cilën kanë bërë pjesë ndonjëherë SHBA, që është NATO. "Dhe në fakt, e shprehur shkurt, ditë të mira ndodhen para, në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë", vijoi më tej ambasadori amerikan. Ne, vijoi ai, kemi pritshmëri, siç u shpreh dhe vetë Presidenti Obama, dhe këto pritshmëri janë të njëjtat pritshmëri që ai ka dhe për veten e tij, respekti për Kushtetutën, përpjekje të ripërtërira për të luftuar korrupsionin dhe, ndërsa afrohet data e hyrjes në NATO, një përkushtim ndaj parimeve dhe praktikave demokratike që qëndrojnë përtej çdo hije dyshimi. Wirthers vuri në dukje se, ndërsa Shqipëria përparon drejt këtyre objektivave, një gjë është e sigurt, miqësia që Shqipëria do të ketë ndaj Presidentit Obama. Në këtë drejtim, Withers citoi një pjesë të fjalimit të Obamës, sipas të cilit, "Gjithë njerëzve dhe qeverive që po na ndjekin sot, që nga kryeqytetet e mëdha e deri tek fshati më i vogël, ai iu thotë se Amerika është një vend mik për çdo komb, për çdo burrë, grua e fëmijë, që kërkon një të ardhme në paqe dhe me dinjitet, dhe ne jemi gati të prijmë sërish". Ndër të tjera, Withers ka vlerësuar maksimalisht rolin e ish-presidentit të SHBA, Xhorxh Bush, në përmbushjen e aspiratës së Shqipërisë për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO. Withers ka vlerësuar se, Shqipëria nuk ka pasur një mik më të çmuar se sa ish-presidenti i SHBA, Bush, nën administratën e tij marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe Amerikës arritën majat më të larta. "Bashkëpunimi mes dy venve tona nuk ka qenë kurrë më i mirë. Dhe kjo tregohet qartazi në mbështetjen e tij të pakufizuar në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ngjarje për të cilën ne shpresojmë të përmbushet këtë pranverë. Kam biseduar me shqiptarë nga shtresa të ndryshme të të gjithë vendit, dhe dashuria që ata kanë treguar për Presidentin Bush ka prekur thellë zemrën time. Është një moement krenar për Amerikën, që të shoh një shfaqje të tillë respekti për udhëheqësin e vendit të tij", vlerësoi ndër të tjera Withers.
Blerina TOSLLUKU
Kreu i Grupit të PD-së e cilësoi si tepër dinjitoze kandaturën e Rusmalit propozuar për në KE
Patozi: Ministrat socialistë udhëtonin jashtë vendit të shoqëruar nga killera
Mazhoranca e cilësoi dje avokati të tepërt qëndrimin e opozitës lidhur me vendimin për ndryshimin e përfaqësimit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha se kjo është një ndërhyrje e padenjë e PS-së në çështjet e brendshme të Grupit parlamentar të mazhorancës. Ai e krahasoi situatën me ndërhyrjen që mund të bënte mazhoranca në zëvendësimin e nënkryetarit të Bashkisë me një person tjetër. "Është njëlloj me kërkesën e një deputeti të mazhorancës të ndërhynte për ndërrimin e nënkryetares së Bashkisë kur në vend të Vali Bizhgës të vinte një person tjetër", u shpreh kreu i Grupit parlamentar të shumicës. Ai e cilësoi të papranueshëm faktin që, deputetët e opozitës kanë tre ditë që merren me një temë, me të cilën nuk kanë lidhje hallet e shqiptarëve. "Parlamenti duhet të merret me hallet e qytetarëve dhe jo të merret me çështje që nuk kanë lidhje me qytetarët. Por duket se opozita e ka të pamundur të gjejë defekte në qeverisjen e mazhorancës së djathtë dhe merret me këtë temë, e cila është çështje aspak me rëndësi për qytetarët", u shpreh Patozi. Ndërsa, lidhur me pretendimet e opozitës për kompetencat e Kryetares së Kuvendit, kreu i Grupit parlamentar të shumicës tha se, Kushtetuta dhe Rregullorja i përcaktojnë në mënyrë të qartë ato. Ai theksoi se, opozita po citon gabimisht Rregulloren e Kuvendit, sepse në rastin në fjalë, Kryetarja e Kuvendit është në atributin e saj. Duke iu refreuar akuzave të opozitës, se një qëndrim i tillë ka turpëruar Shqipërinë në sytë e opinionit ndërkombëtar, Patozi u rikujtoi deputetëve socialistë se ishin pikërisht përfaqësuesit e tyre, që ia nxinë imazhin Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. "Shqipëria është turpëruar më shumë kur ministrat tuaj udhëtonin jashtë shtetit me killera. Shqipëria është turpëruar nga diplomatë, deputetë, ministra, ambasadorë që kanë qenë të krimbur në korrupsion. Shqipërinë nuk e turpëron asnjë përfaqësues i mazhorancës", nënvizoi Patozi. Ai e cilësoi tepër dinjitoz përfaqësuesin e Partisë Demokratike dhe të Parlamentit në Këshillin e Europës. Ai u theksoi se ky është një problem i mbyllur, i cili nuk ka të bëjë me opozitën. "Opozita mund të dojë kryetar të Kuvendit tjetër, ministër tjetër, drejtues të mazhorancës të tjerë, por Partia Demokratiike është në të drejtën e vet që të bëjë zëvendësimet e mundshme që përfaqësimi i Kuvendit të jetë dinjitoz", vlerësoi kreu i Grupit të mazhorancës. Patozi tha se, përfaqësimi i shumicës me ish-zëvendëskryeministrin, ish-ministrin e Drejtësisë dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve është mëse dinjitoz.
Pango: U ndërtuan 400 km rrugë për në pikat turistike
Ministri i Kulturës, Ylli Pango u ndal dje gjatë diskutimit në rrugët, të cilat të çojnë në monumentet kulturore. Pango tha se, opozita me anë të një deklarate ka abuzuar ku ka deklaruar se janë bërë 400 kilometra rrugë për në pikat turistike, në një kohë që janë bërë më shumë se trefishi i tyre. Ministri Pango vuri në dukje se, nga zero rrugë që të çonin në këto zona turistike, në kohën që qeveriste e majta, sot, janë bërë rrugët që të çojnë në Velipojë, Shëngjin, Tale, Spille, Divjakë. Ai tha se është bërë rruga e Rivierës që të krijon mundësinë të shijosh plazhet e jugut. Duke iu referuar shifrave të gabuara që opozita thekon për rrugët, të cilat të çojnë tek monumentet e kulturës, Pango tha se, qeveria ka investuar 400 milion euro në këto rrugë. Ai përmendi disa rrugë të rëndësishme që janë bërë, duke u financuar nga qeveria, rruga e Kalasë së Borshit, Finiqit, Kalasë së Lezhës, dhe projektimin e të gjitha rrugëve që të çojnë në kalatë kryesore të Shqipërisë. Kreu i MTKRS-së bëri me dije nga foltorja e Parlamentit akordimin e 5 milion eurove nga zyra e Komisionit Europian, të cilat do të përdoren për restaurimin e kalave. Ministri Pango bëri me dije se, muajin që vjen do të restaurohet dhe Kalaja e Krujës, Kalaja e Himarës, dhe restaurimimi i Kalasë së Tiranës. Pango i bëri thirje opozitës që të shohë projektet madhore, që po realizon qeveria. Kreu i MTRKS-së tha se, opozita duhet të vizitojë dhe të marrë shembull nga punët e mazhorancës.
Nishani: Qeveria, vullnet për zbatimin e konventave ndërkombëtare
Qeveria ka vullnetin të zbatojë me përpikmëri kërkesat e konventave, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut në kërkimin e azilit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, garantoi dje Parlamentin se, ligji i ri për azilin që po diskutohej gjatë seancës së djeshme parlamentare është bërë në përputhje me detyrimet e Shqipërisë, që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së. Nishani informoi deputetët socialistë se, për këtë ligj nuk është bërë një arnim në ligj, por është bërë një amendim i tij. Ministri i Brendshëm, Nishani, theksoi se këtë amandim e ka të parashikuar qeveria shqiptare, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Nishani tha se, në marrëveshje kërkohej në mënyrë ekspicide amendim të ligjit për azilin. Për këtë amendament, ai theksoi se qeveria i është referuar MSA-së. Ky amendament, theksoi Nishani i është përshtatur legjislacionit shqiptar nga legjislacioni europian, jo vetëm nga cilësia dhe asistenca e ligjit, por implementimi i mirë i ligjit që është pranuar nga ekspertët e UNHCR-së të vendosur në Shqipëri. Ligji lejon familjet e azilantëve të bashkohen, duke i dhënë të drejtat azilantit. Pavarësisht shkurtimit të statusit të azilantit, ministri Nishani tha se, personat sipas amendamentit nuk mund të dëbohen nga Shqipëria për asnjë rast. Me ligjin që është paraqitur në Parlament, vijoi ai, janë eliminuar të gjitha burokracitë, për ata që duan të kërkojnë azil në Shqipëri. Nishani u bëri thirrje deputetëve ta votojnë amendamentin, pasi në të janë përfshirë të gjitha konventat e Kombeve të Bashkuara. Ai kujtoi se Komisioni i Sigurisë Kombëtare e ka miratuar këtë amendament me unanimitet.
E.K
Ruli: Do të zgjidhim çështjen e punëtorëve të ARMO-s
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, theksoi dje se Ministria e drejtuar prej tij do të zgjidhë brenda një kohe optimale çështjen e grupit të punëtorëve të ARMO-s. Duke iu përgjigjur akuzave të deputetevë socialistë, se grupi nuk është pritur nga kryeministri, Ruli tha se, në mungesë të kryeministrit për shkak të angazhimeve që ai ka patur, punëtorët janë takuar me ministrin e Ekonomisë. Ai garantoi sem ministria po merret seriozisht me këtë çështje, ndërsa ftoi opozitën që të jetë monitoruesja e këtij problemi. Ndërsa, lidhur me pretendimin e deputetit të LSI-së se, në Shqipëri, KESH nuk ka vendosur ende matësa për të gjithë abonentët e tij, Ruli theksoi se, gjatë kohës kur Prifti drejtonte KESH janë blerë mbi 600 mijë matësa, shifër rekord kjo për Shqipërinë. Ministri Ruli kujtoi se deri tani, duke futur procesin e futjes së matësave në më shumë se 90 përqind të familjeve shqiptare, janë blerë rreth 200 mijë matësa. Akuzat e Priftit që shteti po vjedh qytetarët, Ruli i hodhi poshtë me argumentin, të cilën vetë Prifti e ka deklaruar kur mbate postin e drejtorit të KESH, duke theksuar se qytetarët që paguajnë aforfe konsumojnë më shumë se ç`paguajnë.
PLL: Opozita po tenton të frenojë procesin e pajisjes me karta
Partia Lëvizja e Legalitetit e shikon krijimin e Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile dhe pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit si një proces mjaft të rëndësishëm që do t'i shërbejë mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe përafrimit tonë me standardet evropiane për liberalizimin e vizave. "Ne vlerësojmë vullnetin e mazhorancës qeverisëse për plotësimin e të gjithë parakushteve për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe pakontestueshme, si dhe mbështesim çdo lehtësi të krijuar prej qeverisë që do t'i shërbejë nxitjes për pajisjen me kartat e identitetit të pensionistëve, studentëve, shtresave në nevojë dhe punonjësve të administratës shtetërore", thanë dje drejtues të legalistëve. Partia Lëvizja e Legalitetit e konsideron lejimin e përdorimit të shamisë prej femrave myslimane gjatë aplikimit për kartat e identitetit, si një respektim të së drejtës së besimit dhe lirisë së shtetasve. "Është koha që kjo e drejtë e sanksionuar në dokumente ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Shqipërisë, të fitojë qytetarinë dhe të ushtrohet pa paragjykime, pengesa dhe nevojën e ndërmjetësimit në të gjitha institucionet e shtetit, përfshi edhe ato arsimore", thuhet në deklaratën e PLL-së. Partia Lëvizja e Legalitetit nxit qeverinë, që gjatë procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti, t'i kushtojë një vëmendje të veçantë edhe emigrantëve, për të cilët duhet siguruar mundësia e aplikimit të tyre pranë përfaqësive tona diplomatike. "Ne gjykojmë se, procesi teknik i identifikimit të shtetasve duhet shoqëruar edhe me rregullimet e nevojshme në ligjin "Për shtetësinë shqiptare", në mënyrë që kjo shtetësi t'i sigurohet në mënyrë automatike të gjithë pasardhësve të mërgatës së vjetër që e dëshirojnë një gjë të tillë", vijon deklarata. Më tej, legalistët shprehen se përkundrejt vullnetit të dukshëm të mazhorancës për pajisjen e plotë dhe të shpejtë që qytetarëve me karta identiteti, roli frenues i opozitës së majtë, e cila gjatë tetë viteve të saj në pushtet nuk bëri asgjë në këtë drejtim, nuk është gjë tjetër veçse dështim i radhës dhe alibi e munguar për humbjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit tha se opozita mund të flasë për Traktatin e Varshavës e jo për Europën
Topalli: Shkarkimi i Biberajt në përputhje me Rregulloren
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, theksoi se shkarkimi i deputetit Aleksandër Biberaj nga posti i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës është bërë në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit. Topalli tha se përfaqësuesit e opozitës po mashtrojnë lidhur me këtë çështje. "Zonja Leskaj mashtroi, siç ka mashtruar kolegu juaj nga Strasburgu dhe kjo nuk i bën nder një zonje dhe një kryetare të Grupit Parlamentar. Në bazë të Rregullores, është Kryetarja e Kuvendit në konsultime me Kryetarin e Grupit, që vendos mbi delegacionet dhe kryesitë e tyre. Opozita mund të flisë për Traktaktin e Varshavës, kurse për sa i përket Europës, kjo maxhorancë i ka ratifikuar marrëveshjet, po kjo maxhorancë i nënshkruar marrëveshjet", u shpreh Topalli në fillim të seancës së djeshme.Kryetarja parlamentit kujtoi se dje Parlamenti i Sllovenisë, në komisionin e jashtëm ka ratifikuar Protokollin e NATO-s, gjë që dëshmon se procesi i integrimit po ecën në mënyrë perfekte.
PD: Rama nuk mund të përvetësojë kompetencat e kreut të Kuvendit
Përnaska: Aktiviteti i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE, normal
Deputetja e Partisë Republikane dhe njëkohësisht anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Lajla Përnaska, deklaroi dje se nuk është e vërtetë që ka patur një ngrirje të autoritetit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Europian. Përnaska sqaroi se, delegacioni shqiptar është në angazhim të plotë, po ndjek punën e Asamblesë Parlamentare dhe po vazhdon në mënyrë normale plotësimin e detyrave. Lajla Përnaska deklaroi se, gjatë ditës së djeshme punimet e Asamblesë Parlamentare janë ndjekur nga Ilir Rusmali, dhe sipas saj, Parlamenti shqiptar ka propozuar një ndryshim në përbërjen dhe në kryesinë e delegacionit e saj, duke ndjekur të gjitha rregullat dhe proçedurat zyrtare, që kërkohen nga Këshilli Europian. Ndërkohë, lista e prezencës së delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës hedh poshtë pretendimet e përfaqësuesve të PS-së se, veprimtaria e delegacionit shqiptar në KE është ngrirë. Sipas tabelës rezulton se, kandidati i propozuar për kreun e delegacionit është përfshirë në listën e anëtarëve që do të ndjekin punimet e Asamblesë Parlamentare të KE-së. Ndërkohë, Partia Demokratike i cilësoi dje si spekullime për qëllime të ngushta politike deklaratat e përfaqësuesve të PS-së, lidhur me delegacionin shqiptar në BE. Partia Demokratike i kujton zëdhënëses së PS-së, e cila ka hobi të ndërrojë emrin çdo dekadë se ky formacion politik ka detyrimin ligjor ta zgjedhë vetë emrin me të cilin do të përfaqësohet. Deklarata për shtyp e selisë blu vë në dukje se, deputeti Rusmaili është një nga përfaqësuesit më dinjitoz të mazhorancës. "Sot, Edi Rama nxori zëdhënëse zonjën që ndërron emrin në çdo dekadë dhe po bëhet gati ta ndërrojë për të pestën herë, për t'i treguar mazhorancës si dhe me çfarë duhet të përfaqësohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Me këtë rast i bëjmë me dije zotit Rama, se kompetencat e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Grupit parlamentar të mazhorancës janë ekskluzivitet i tyre që nuk mund të përvetësohen nga askush", thuhet në deklaratën zyrtare të Partisë Demokratike.
Bode: Propozimi i LSI për minatorët krijon disbalanca sociale
Ministri i Financave Ridvan Bode tha dje në Kuvend se projektligji për statusin e minatorit vendos disbalance mes grupeve të ndryshme shoqërore. Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, të propozuar nga grupi parlamentar LSI-PDS, ministri Bode tha se "drafti është i përfshirë nga ethet ektorale dhe nuk është një nismë e arësyeshme."
"Ai nuk i kontribuon paqes sociale dhe vendos disablanca mes grupeve të ndryshme shoqërore. Kërkesa për vendosjen e statuseve grupeve të ndryshme nëpërkëmb dhe përbalt kategori të tjera shoqërore", u shpreh ministri Bode gjatë debatit për këtë draft. Ai theksoi se detyrimi i politikës është se duhet të jetë e ndjeshme dhe e barabartë në trajtimin e çdo qytetari. "Nisma të tilla për status të veçantë prishin balancat sociale dhe deformojnë nevojën për një shoqëri të barabartë, eficente dhe të drejtë", tha Ministri i Financave. Gjatë paraqitjes së këtij p rojektligji, Kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu tha se pas konsultimeve me përfaqësues të qeverisë dhe grupeve të interesit komisioni me shumicë votash vendosi t'ua kthejë mbrasht autorëve këtë draft. "Komisioni gjykon se ka ardhur momenti për një diskutim të hapur dhe më të gjerë të çështjes së pensionit për profesionet e rënda. Projektligji nuk u pranua pasi ai bie ndesh me një sërë ligjesh dhe krijon amulli në sistemin e sigurimeve shoqërore", tha kryetari i komisionit përgjegjës për këtë draft. Nisma ligjore e grupit parlamentar LSI-PDS kërkon ndër të tjera uljen e moshës së pensionit për minatorët në 50 vjeç, nga 65 vjeç që është aktualisht.